Liburn Aliu pritet të përballet sot me gjykatën

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të përballet sot në gjykatë me një akuzë të ngritur ndaj tij, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka raportuar me datë 23.03.2021 se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Në po atë ditë Prokuroria ka dalë me një komunikatë ku ka treguar se për çfarë akuzohen ministri i tanishëm dhe zyrtarët tjerë.

“Prokurori i Shtetit, me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Liburn Aliu në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com kishte thënë se për herë të parë po dëgjon për këtë gjë.

“Nuk  e di. Jo [s’jam në dijeni]. Për herë të parë po e nij”, kishte thënë shkurt Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

https://kallxo.com/lajm/aktakuza-ndaj-ministrit-aliu-psd-me-aksion-para-qeverise/