Tripoli, Libi, Foto: Reuters/REL

Libi: 27 të vdekur si pasojë e përleshjeve mes milicive rivale 

Përleshjet vdekjeprurëse midis milicive rivale në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, kanë lënë të vrarë të paktën 27 persona njëkohësisht duke i lënë banorët të bllokuar në shtëpitë e tyre të martën, të paaftë për t’i shpëtuar dhunës, thanë autoritetet mjekësore.

Luftimet duket se janë më intensivet që kanë tronditur Tripolin këtë vit. Kishte të paktën katër persona të vdekur, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse ata ishin milici apo civilë, ka deklaruar një zyrtar i atjeshëm.

Përleshjet shpërthyen vonë të hënën midis milicëve nga brigada 444 dhe Forcës Speciale të Parandalimit, sipas raporteve të mediave lokale. Tensionet u ndezën pasi Mahmoud Hamza, një komandant i lartë i Brigadës 444, dyshohet se u arrestua nga grupi rival në një aeroport në Tripoli më herët gjatë ditës, thanë raportet e atjeshme.

Mbi 100 njerëz kanë mbetur të plagosur në luftime, sipas Qendrës së Mjekësisë dhe Mbështetjes Emergjente të Libisë, një organ mjekësor që është vendosur gjatë fatkeqësive humanitare dhe luftërave.

Është e paqartë se sa nga të vdekurit ishin pjestarë të milicisë apo civilë.  

Përshkallëzimi vjen pas muajve të paqes relative pas gati një dekade të luftës civile në Libi, ku dy grupe rivale të autoriteteve janë mbyllur në një ngërç politik. Ndarjet e gjata kanë shkaktuar disa incidente dhune në Tripoli në vitet e fundit, megjithëse shumica kanë përfunduar brenda pak orësh.

Libia, vendi i pasur me naftë është ndarë që nga viti 2014 midis administratave rivale në lindje dhe perëndim, secila e mbështetur nga një sërë milicish të armatosura mirë dhe qeveri të ndryshme të huaja. Ky vend i Afrikës së Veriut ka qenë në një gjendje trazirash që nga një kryengritje e mbështetur nga NATO në vitin 2011, e cila rrëzoi dhe më vonë e vrau diktatorin afatgjatë, Moammar Gadafi./AP