Leposhtica: ShBA ua 'ngrehu veshin" institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë të Kosovës

Në emisionin “Kallxo Përnime”, në debatin për pasurinë e politikanëve, po diskutohet për rastin e sanksionimit të 13 serbëve të Kosovës që janë futur në listën e zezë nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për këtë ngjarje ka folur Labinot Leposhtica nga KALLXO.com, i cili është jurist dhe mbikëqyrës i monitorimit të gjykatave.

Ai ka thënë se ShBA ua kanë “ngreh veshin” institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë së Kosovës, duke i treguar se janë disa persona nga Kosova që po merren me veprimtari joligjore në Kosovë.

“Amerika na ka rikujtu dhe na ka tregu që po e dimë kush po shpëlan para dhe kush po merret me veprimtari joligjore në Kosovë”, ka thënë Leposhtica.

I njëjti ka thënë se në këtë listë të lëshuar nga Departamenti i Thesarit janë dhe disa persona që kanë qenë në procedura gjyqësore në Kosovë.

“Dy prej tyre madje janë si persona të dyshuar në rastin e aktakuzës për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq”, ka thënë Leposhtica duke shtuar se më pas është bërë edhe tërheqja misterioze e fletë-arrestit të Millan Radoiçiqit.

“Prokuroria duke u kamufluar në konfidencialitet të hetimeve nuk ka dhënë asnjë arsyetim dhe shpjegim se përse është tërhequr fletë-arresti”, ka shtuar ai.

Sipas Leposhticës kjo ka bërë që të vërehet një skepticizëm i theksuar në punën e organeve të rendit, në këtë rast të prokurorisë.

“Konsideroj që ky rast duhet të shërbejë si një pikënisje nga organet e rendit për t’i gjetur edhe bashkëpunëtoret e tyre dhe të kompanive që janë listuar aty dhe me i dërgu hetimet deri në fund”, përfundoi Leposhtica.

Një mendim më ndryshe se Leposhtica ka avokati dhe këshilltar ligjor, Faton Fetahu.

Fetahu ka thënë se presioni që publiku ia bën prokurorive dhe gjykatave në drejtim të zbardhjes së rasteve dëmton cilësinë e punës së tyre.

“Mendimi im personal është që përpjekja e vazhdueshme në adresë të presionit për prokuroritë dhe gjykatat kam përshtypjen që po e dëmton cilësinë e punës së proceseve gjyqësore”, ka thënë Fetahu.

I njëjti ka shtuar se është për t’u çuditur fakti se Departamentit të Thesarit të ShBA-së merr masa ndaj një personi për të cilin në prokuroritë e Kosovës i është tërhequr fletë-arresti.

Sipas tij, për këtë vendim të prokurorisë dhe gjykatës duhet të besohet se është i arsyetuar.

“Pasi që jemi institucionalist duhet të besojmë që ka pasur ndonjë vendim të arsyetuar nga ana e prokurorisë dhe gjykatës”, ka thënë Fetahu.