Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lëndimi i minatorëve nga acidi, reagon ministri Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar pas aksidentit në horizontin e 11-të në minierën e Stantërgut, ku dyshohet 13 punëtorë mbetën të lënduar nga acidi sulfurik.

Vitia ka thënë se 11 nga minatorët janë liruar nga spitali pas trajtimit mjekësor.

Ndërsa dy të tjerë, të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikëqyrje dhe kujdesin mjekësor.

“Trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës, kanë marrë trajtim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Njëmbëdhjetë nga ta, pasi morën trajtimin shëndetësor janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa dy të tjerë të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikëqyrje dhe kujdesin mjekësor të mjekëve dhe infermierëve”- ka thënë ai.

Vitia ka shtuar se minatorët e lënduar nuk janë në rrezik për jetën.

Ai ka përgëzuar stafin shëndetësor të Spitalit të Mitrovicës për ofrimin e kujdesit shëndetësor për minatorët e lënduar.

Ndërsa, minatorëve u ka uruar shërim e rikthim të shpejtë në familje dhe në, siç ka thënë ai, punën e vyeshme të minatorit.

www.kallxo.com