LDK: Vendimi i Qeverisë për mos ekzekutimin e pagave është jo ligjor

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), përmes një konference për media ka thënë se vendimi i qeverisë për mosekzekutimin e pagave e punonjësve publikë që janë në grevë, është vendim jo ligjor.

Jehona Lushaku nga LDK ka thënë se për herë të parë në historinë e arsimit të Kosovës, pagat për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar.

Ajo ka thënë se ky vendim e cenon dinjitetin e mësimdhënësve.

“Për herë të parë në historinë e arsimit të Kosovës, pagat për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar. Ky vendim për mos ekzekutimin e pagave është tërësisht jo ligjor, nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe nuk ka asnjë bazë juridike që pagat të ndalen kolektivisht për punëtoret publik dhe në veçanti për punëtorët e arsimit” – ka thënë Lushaku.

Sipas saj, kjo situatë i dedikohet posaçërisht papërgjegjësie dhe paaftësisë së kësaj qeverie.

“Mësimdhënësit i kanë adresuar kërkesat e tyre por nuk kanë gjetur mbështetje dhe as dialogim të mirëfillit nga kjo qeveri. Në një kohë kur Kosova po përballet me krizë ekonomike, në një kohë kur inflacioni është në rritje e sipër, kur kemi krizë energjetike” –  tha në mes tjerash Lushaku.

“I bëj thirrje qeverisë që ta marrë me seriozitet situatën, të thërras të gjitha palët dhe të adresuar kërkesat dhe të gjej një zgjidhje që sot, të zhbllokohet procesi, fëmijët ti kthehen nesër shkollës dhe të behet menjëherë ekzekutimi i pagave”-, ka thënë tutje Lushaku.

Sot ka filluar viti i ri shkollor në Kosovë, mirëpo në shumë shkolla mësimi nuk është duke vazhduar për shkak të grevës së mësimdhënësve dhe shërbyesve civil e cila ka filluar që nga 25 gushti.

Dje ministri i Financave tha që është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave për grevistët.

Kërkesa e sindikalistëve, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Kurti: Njerëzit nuk mund të paguhen për punën që nuk e bëjnë