Foto: Lumir Abdixhiku në Facebook

LDK reagon ndaj “Këshill gjithëserb”: Alarmi i Beogradit është kurdisje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar nga i ashtuquajturi “Kuvendi gjithëserb”, në të cilën thuhej se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

LDK ka kërkuar vëmendjen e shteteve mike të Kosovës dhe deklarimet e tilla të merren seriozisht.

“LDK, si ideatore e projektit politik për Kosovën e Pavarur, si vend i të gjithëve që jetojnë në të, demokratik dhe i lirë; si bartëse e qëllimeve historike politike e kombëtare të popullit të Kosovës, e sheh me shqetësim këtë tubim gjithëserb dhe konkluzionet e tij armiqësore ndaj Kosovës dhe rajonit” – thuhet në reagim.

“Ftojmë miqtë e Kosovës, që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit. Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdosje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast” – thuhet në reagimin e partisë që drejton Limir Abdixhiku.

Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.

“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.

Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.