Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK për shtrenjtimin rrymës: I pa përballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka kundërshtuar propozimin e institucioneve të Kosovës, për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Lumir Abdixhiku, deputet dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ky propozim është selektiv në pagesë, diskriminues në trajtim, i pa paralajmëruar me kohë dhe është propozim i pa përballueshëm.

Abdixhiku ka kërkuar mbështetje nga deputetët dhe ka thënë se do të japin rekomandimet e tyre për rezolutë në fund të debatit parlamentar.

“Kemi mbledh 40 nënshkrime se paralajmërimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike në formatin e bërë, është i pa përballueshëm, i padrejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror, prandaj si i tillë meriton përgjigje refuzuese nga ky Kuvend”, tha Abdixhiku.

Sipas tij Kosova është e fundit nga vendet e rajonit dhe vendet evropiane që e ka nisur debatin për krizën energjetike.

“Debatin e kishte nis me 3 muaj vonesë nga vendet e rajonit dhe 6 muaj vonesë nga vendet evropiane. Me që ishte e fundit në debat ishte edhe e fundit në reagim”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, institucionet e Kosovës dhe qeveria në vazhdimësi e kishin mohuar se në Kosovë kishte krizë.

“Këtë mohim krize e kishin pasuar me mosveprim vetëm për të përfunduar me paralajmërimin e javës që shkoi se nga muaji i ardhshëm saktësisht 7 ditë nga sot çmimet e energjisë elektrike do të rriten në shkallë rekorde për qytetarët tanë më të kaluarën në historinë e Kosovës. Është reagim i vonshëm si rezultat i pa aftësisë që ka sjellë fillimisht reduktime e më pas rritje enorme të çmimeve”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se kosovarët nuk e shpenzojnë rrymën për luks. Sipas tij për luks shpenzohet në veri rryma ku sipas tij është falë.

“Kosovarët shpenzojnë as sa kanë nevojë sepse e paguajnë atë edhe në dimër janë detyruar të shpenzojnë më shumë sepse nuk kanë zëvendësues tjetër për ngrohje. Janë detyruar të përdorin energji elektrike si resursin e vetëm tani për tani. 600 kilovatët e mbuluar nuk mjaftojnë të vendosjen në përballje të enjë me këtë krizë”, shtoi Abdixhiku.

Sipas tij Kuvendi duhet të refuzoj tendencën e qeverisë dhe rregullatorit sepse sipas tij nuk u kanë dhënë kohë qytetarëve për ta zëvendësuar energjinë elektrike me resurse alternative.

Abdixhiku shtoi se Kuvendi duhet ta refuzoj propozimin e tanishëm sepse sipas tij nuk kanë pas mundin më të vogël për të parë e analizu praktikat e vendeve evropiane.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.