LDK dhe PDK: Për Projektligjin për tatimin në pronë, ministri Murati nuk është konsultuar me asnjë nga komunat

Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës, ka qenë pjesë e grupit për hartimin e draftit të Ligjit për tatimin në pronë gjatë vitit 2021.

Ai bashkë me këtë grup, të cilin e ka formuar Ministria e Financave, ka punuar për 6 muaj në këtë draft, por në fund nuk është marrë parasysh ai por është ndryshuar drafti.

“Ne kemi punuar në atë draft por që është ndryshuar. E kemi bërë draftin, përfshirë edhe Departamentin e tatimit në pronë, unë dhe kanë qenë dy përfaqësues të tjerë të komunave, 6 muaj kemi punuar në atë draft” – tha Abazaj.

Ai ka shtuar se për draftin e ri nuk ka informacion se kush e ka bërë dhe ka shtuar se draftin në të cilin ka punuar ai nuk e ka futur fare në agjendën legjislative.

“Ministri ndoshta i ka ata ‘supermenët’ e vet. Ne nuk e dimë kush janë ata që kanë punuar në draftin aktual, as pse nuk është marrë parasysh ai që kemi punuar ne” – tha më tej ai.

Abazaj, i cili vjen nga LDK-ja, dhe Sebahate Ajeti Sadiku, drejtoreshë e Financave në Komunën e Ferizajt, që vjen nga PDK-ja, kanë akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, që sipas tyre nuk është konsultuar me asnjë nga komunat lidhur me këtë draft.

“Asnjë akter, asnjë komunë nuk e ka konsultuar për draftin e ri të Ligjit për tatimin në pronë” – tha Abazaj.