Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Latifi: Vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë - i ngutshëm

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat.

Përmes një publikimi në Facebook, Latifi ka theksuar se fermerët janë të shqetësuar për tregun e produkteve të tyre, për shkak të masave anti-COVID-19.

“Produktet e fermerëve tanë janë të gatshme për treg. Gjatë ditës kam marr shqetësimet e shumë prej tyre që tani në këtë kohë kanë produkte të gatshme për treg. Investimet në këtë sektor për të arritur deri te produktet finale janë të mëdha. Në mungesë të tregut, humbjet do të jenë të pashmangshme”, ka shkruar ai.

I pari i Rahovecit ka thënë se kërkojnë që masat kundër pandemisë të jenë në përputhje me specifikat e komunave, konkretisht Rahoveci si trevë bujqësore të trajtohet me kujdes.

“Situatë të njëjtë kemi pasur edhe vitin e kaluar, ku fermerët tanë janë dëmtuar dhe deri më tani nuk janë dëmshpërblyer, sikundër që nuk janë përfshirë në pakot e rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet në publikimin e tij.