Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Latif Gashi i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale

Latif Gashi, ish- deputet i Partisë Demokratike të Kosovës është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gashi përmes një postimi në Facebook.

“Ju njoftoj se sot kam pranuar një thirrje telefonike nga një hetues për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. Ky intervistim do të bëhet me 27 gusht 2020. Si në shumë procese të deritanishme për liri dhe pavarësi: Ilegalja e hershme, ilegalja dhe formimi i UÇK-së, lufta e UÇK-së. Procesin e Pavarësisë dhe atë të shtet ndërtimit. Procese gjyqësore nga gjykata e UNMIK, ai nga Gjykata EULEX, (gjithsej 16 vite në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare).Vetëm për të plotësuar standarde ndërkombëtare të pa drejta ndaj luftës së UÇK-së”, ka shkruar Gashi.

Ai është shprehur i bindur se do të dalë faqebardhë nga ky proces.

“Triumfuam falë mbështetjes së popullit të Kosovës dhe jashtë saj, gjakut të dëshmorëve dhe ndihmesës së Aleancës Ndërkombëtare NATO të prira nga SHBA. Edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë, me dinjitet e krenar përjetësisht që kishim fatin ta ndërrojmë historinë nga robëria në Liri…! Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar Gashi në postimin e tij.