Largohet fotoja e Presidentit nga Kuvendi

Gjatë pauzës që Kuvendi i Kosovës pati nga seanca plenare, fotoja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi u largua  nga vendi ku ishte ngjitur gjatë seancës.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e vendosi fotografinë e Presidentit prapa karrikes së Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ai këtë e bëri në shenjë proteste të largimit të fotos së Presidentit nga zyra e Kryeparlamentares.

Në ndërkohë u mbajt seanca e Kryesisë së Kuvendit ku Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se edhe pse e ka zhvendosur kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani nga zyra e saj, të paktën e kanë në Kuvend.

Megjithatë, pak para se seanca plenare të rinis, fotoja e Presidentit nuk u pa e vendosur.

Megjithatë, një burrë që KALLXO.com merr vesh se është punëtor i Kuvendit e ka sjellë fotografinë e Presidentit dhe e ka vendosur te ulëset e deputetëve të PDK-së.

Për pak minuta pritet të vazhdojë seanca për formimin e komisioneve parlamentare.