Kuvendi s'arriti ta sigurojë kuorumin, dështon seanca plenare

Kuvendi i Kosovës nuk arriti assesi që të vazhdojë me seancën për mbajtjen e dy interpelancave të kryeministrit Avdullah Hoti, për arsye të mungesës së kuorumit.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvebdosje, Arbërie Nagavci, tha se pasi në sallë kanë qenë vetëm 44 deputetë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kourim, për vazhdimin e seancë do të ketë njoftim pas vendimit të kryesisë.

Paraprakisht situata me mungesën e kuorumit në legjislativ nxiti reagime dhe polemika mes pushtetit dhe opozitës.

Deputeti Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se vetëm LVV-ja ka më shumë deputetë prezentë sesa i tërë koalicioni qeverisës.

“Kjo po e reflekton krizën institucionale. Ka bllokadë në Kuvend dhe nuk mund të vazhdohet tutje”, tha ai.

Kurse, Arben Gashi nga LDK-ja, tha se edhe nga ta janë 21 ose 22 deputetë në sallë.

“Kështu që temat që janë në rend të ditës, janë dy interpelanca të kërkuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne si LDK mbajmë përgjegjësi vetëm për deputetët tonë. Tjerat janë çështje të vullnetit. Ne jemi këtu kurdo që mendoni me mbajtë seancën”, tha ai.

Kurse, nënkryetarja Arbëria Nagavci tha se pa u konstatuar kuorumi dhe numrat nga koalicioni qeverisës nuk mund të vazhdohet tutje.

“Për të vazhduar kjo seancë duhet të ketë minimumi 61 numra të supozuara të koalicionit. Nga LVV jemi 25 në sallë të gatshëm për të vazhduar por duhet të jeni 61 së paku për të vazhduar” tha ajo.

Pas saj reagoi deputeti Arben Gashi i LDK-së, duke thënë se këto janë çështje të Kuvendit dhe jo vetëm të koalicionit qeverisës.

“Nuk është e drejtë të veproni kështu. Është e palogjikshme dhe aspak korrekte politikisht”, tha ai.