Kuvendi miraton projektligjin për Topografinë e Gjysmëpërçuesve dhe projektligjin për Dizajnit Industrial

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim dy projektligje, në orët e pasdites të së premtes.

Fillimisht u miratuar Projektligji për Topografitë e Gjysmëpërçuesve. Sipas ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, ky projektligj përcakton kërkesat, masat dhe mbrojtjen ligjore të topografive të produkteve gjysëmpërçuese dhe të drejtave që rrjedhin nga ky ligj.

“E drejtë në mbrojtje të topografisë zbatohet në dobi të personave fizikë, që janë shtetas të Kosovës. Mbrojtja e topografive iniciohet me kërkesën për regjistrimin e topografive që paraqitet para agjencisë për pronësinë industriale. Po ashtu ky ligj është hartuar krahas të gjitha procedurave të parapara dhe nuk i cenon parimet e BE-së”, tha ministrja Hajdari.

Ky projektligj u miratua në parim me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa projektligji tjetër i miratuar ishte ai për Dizajnin Industrial. Rozeta Hajdari tha se ky projekt ligjh është në vazhdimësi të plotësimit të infrastrukturës ligjore nga fusha e pronësisë industriale.

“Në këtë projektligj janë qartësuar dhe saktësuar procedurat për regjistrimin, aplikimit me pronarë vendorë dhe të jashtëm, dhe të drejtat që rrjedhin nga dizajni industrial. Miratimi është plotësimi i qëndrimeve të Qeverisë krahas parimeve të Bashkimit Evropian”, tha Hajdari.

Ky projektligj u miratua me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.