Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës shkarkon bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar anëtarët e bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Kuvendi ka shkarkuar kryesuesin e bordit të ARH-së, Arsim Berishën me 62 vota për. Me 62 vota për është shkarkuar edhe anëtari i bordit të ARH-së, Gëzim Qerimi. Ndërsa 62 vota për shkarkim ka marrë edhe anëtari tjetër Shkumbin Hyseni.

Kuvendi ka shkarkuar edhe anëtarin tjetër të bordit të ARH-së, Ilmi Ahmetin me 62 vota për.

Me votim të veçantë është shkarkuar secili anëtar i bordit. Rekomandimi për shkarkim të anëtarëve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka ardhur nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të votuar shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave në seancën e 19 korrikut.