Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Kuvendit i rekomandohet shkarkimi i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Fitore Pacolli Dalipi, kryesuese e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë ka lexuar i Rekomandimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Ajo tha se komisioni vendosi që Kuvendit t’i paraqes rekomandim që të shkarkoj anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Arsim Berisha, Gëzim Qerimi, Shkumbin Hyseni dhe Ilmi Ahmeti.

Pacolli Dalipi tha se komisioni ka shqyrtuar ligjin në përgjithësi dhe raportin vjetor 2020 duke u bazuar edhe në punën disa vjeçare të këtij bordi dhe ka konstatuar disa dështime.

“Është shqetësuese ekzistimi i 268 vendkalimeve ilegale mbi binar të cilat në vazhdimësi janë rrezik për jetën e qytetarëve. Mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse dhe me rrezikshmëri të lartë të jetës së qytetarëve. ARH ka neglizhu bashkëpunimin me nivelin komunal dhe organet e sigurisë”, tha ajo.

Pacolli Dalipi tha se ARK ka shkel rregullimin për operimin me licencë të operatorëve në rehabilitimin e hekurudhave.

“ARH ka dështuar në rregullimin e njohjes së licencave, makinistëve, lokomotivave të operatorëve vendor me ato nga vendet e rajonit. ARH ka dështuar në vënien nën kontroll të qarkullimit ilegal të trenave nga Serbia në drejtim të stacionit në Mitrovicë”, tha Pacolli Dalipi.

Ajo gjithashtu tha se ky bord prej shumë vizitave të zhvilluara jashtë vendit nuk ka sqarime për shpenzimet e tyre. Pacolli Dalipi tha se vlen të theksohet se brenda muajit dhjetor 2016 për udhëtime zyrtare brenda rajonit janë shpenzuar 16 mijë e 92 mijë euro.