Foto: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës miraton 10 marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës pas disa muajve përpjekje ka miratuar sot më 16.05.2024 dhjetë marrëveshje ndërkombëtare.

Miratimi i tyre u bë i mundur pas sigurimit të votave nga PDK-ja, e cila deklaroi se që do i mbështesin ato.

Pro këtyre dhjetë marrëveshjeve kanë votuar edhe deputetët e dy partive tjera opozitare LDK dhe AAK.

Në rend të ditës për seancën e sotme kanë qenë edhe tri marrëveshje ndërkombëtare, dy prej të cilave nuk u miratuan ndërsa marrëveshje u shty për një seancë tjetër.

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, nuk kaloi.

Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 76 deputetë, 10 vota kundër, 1 abstenim. Nga opozita PDK dhe AAK kanë votuar pro, ndërsa LDK kundër.

As ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, nuk u miratua.

Nga opozita pro kësaj marrëveshje kanë votuar LDK dhe AAK. Ndërsa PDK përkundër deklarimit se i mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare, kur u hodh në votim kjo marrëveshje votuan kundër.

Nga PDK-ja pro kësaj marrëveshje votoi vetëm deputetja Eliza Hoxha.

Ndërsa me kërkesë të LDK-së, marrëveshja e bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”, u shty për një ditë tjetër.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kërkoj që e njëjta të shtyhet që të marrin sqarime shtesë nga ministri Liburn Aliu.

Në të kundërt ai tha se LDK do të votojë kundër.

Marrëveshjet ndërkombëtare që u miratuan në seancën e sotme janë:

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

– Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

– Votimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”.