Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi fut në rend dite ratifikimin e marrëveshjes me MCC-në

Kuvendi i Kosovës ka futur në rend dite për votim ratifikimin e Marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për çështjen e energjisë.

Mocioni është propozuar nga Komisioni për Ekonomi, që kjo pikë të futet në rend dite si pikë e pestë.

Grupet Parlamentare janë pajtuar me ketë dhe propozimi ka marrë përkrahjen e të gjithë deputetëve.

Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan kanë nënshkruar të mërkurën marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Marrëveshja pritet t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe dy liderët institucionalë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Marrëveshja me MCC-në u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Prezent në ceremoni ishin edhe pëfaqësues të delegacionit të MCC-së.

Nënshkrimin e marrëveshjen e quajtën historike, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

Kosova nënshkruan marrëveshjen milionëshe me MCC-në