Kushtetuesja ndërpret procedurën e shqyrtimit të kërkesës së Vetëvendosjes për votën e Haxhi Shalës

Gjykata Kushtetuese ka mbajtur seancë shqyrtuese lidhur me lëndën e parashtruar nga 30 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lënda ka të bëjë me vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi, më 3 qershor 2020, në shtëpinë e ish-deputetit Haxhi Shala, vizitë e cila Shalën, siç ka pohuar vetë, e kishte bërë që të ndërrojë mendje dhe ishte pajtuar të votonte pro formimit të Qeverisë Hoti.

Në komunikatën e Kushtetueses, thuhet se kolegji shqyrtues propozoi që të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve.

“Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës“. Në kërkesën e tyre, parashtruesit pretendonin që duke përdorur mekanizma jokushtetues, Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, në veçanti të nenit 83 [Statusi i Presidentit], të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 14, të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] në lidhje me paragrafin 3, të nenit 7 [Vlerat], të nenit 65 [Kompetenca e Kuvendit], paragrafi 8, dhe të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës] të Kushtetutës së Republikës. Parashtruesit gjithashtu kërkuan që Gjykata të mbajë një seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast”, thuhet në komunikatë.

“Kërkesa bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullat 32  [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese. Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve”, vijon komunikata e Gjykatës Kushtetuese.

Ky është njoftimi i plotë për vendimet nga seancat shqyrtuese të mbajtura sot.

4 qershor 2020, vetë Haxhi Shala një ditë para seancës kishte deklaruar se nuk ka votë për Qeverinë Hoti. Por, mendjen e ndërroi pak pas mesnatës së 3 qershorit, kjo pasi që siç pretendoi ai, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i kishin shkuar bashkë në shtëpi.

Ngritja e dorës së tij ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së re në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

“Ata kanë ardhur së pari te unë si dy miq, si dy bashkëluftëtarë të mi. Kemi biseduar atë natë, si më kanë thënë se 60 vota janë, ose ti nuk duhesh të anosh nga pjesa tjetër se ky prjekt është një projekt më i gjerë sesa ai i tjerëve, edhe në momentin që më tha 60 vota, i thash, në tash mund të vazhdojmë të pijmë çaj për këtë votë më skemi qa të diskutojmë”, kishte pohuar Shala në RTV Dukagjini.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese.