Gresa Caka-Nimani/ Foto: Gjykata Kushtetuese
Gresa Caka- Nimani rizgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Gresa Caka – Nimani është rizgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja ka njoftuar se në seancën administrative të mbajtur më 05.06.2024, gjyqtarët e kësaj gjykate e kanë rizgjedhur kryetaren aktuale edhe për një mandat të dytë.
Herën e parë, Caka – Nimani është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese më 17 maj 2021.
Deri në emërimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).
Në biografinë e saj të postuar në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Gresa Caka-Nimani është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh.
Ndër të tjera, thuhet se ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
(Shënim: Teksti është korrigjuar më 18.06.2024, te pjesa ku flitet për mandatin e dytë të kryetares së GJK-së)