Skena/bina e vendosur në protestën në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com

Kush është grupi që po dyshohet se shpërndau fletushka me thirrje për rezistencë në Mitrovicë të Veriut?

“Mbrojtja Popullore”, është emri i ri i një grupi apo organizate e cila që nga protesta e djeshme, 12.02.2024, në Mitrovicën Veriore doli në publik.

Në rrjete sociale, kryesisht në “Telegram” në grupe të ndryshme po shpërndahen fletushka të shumta të cilat bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës.

Shpërndarja e këtyre fletushka tashmë është duke u trajtuar edhe nga ana e organeve të rendit, Policia dhe Prokuroria e Republikës së Kosovës.

Deri më tani nuk ka ndonjë person të identifikuar në lidhje me shpërndarjen e këtyre fletushkave, por ajo që dihet është se policia arriti që të njëjtat t’i vërej pas përfundimit të protestës së rreth 1,800 qytetarëve në Mitrovicë të Veriut.

“Dyshojmë se dje (E hënë 12.02.2024) gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërndarë dhe ne kemi hasur në to më vonë. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hapur rasti ‘thirrje për rezistence dhe nxitje e urrejtjes’”- ka thënë për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

Fletushkat të cilat po shpërndahen edhe në rrjete sociale shpjegojnë në disa hapa se si të rezistohet dhe si të sulmohen ekipet e policisë në veri të vendit.

Në këto fletushka janë dhënë edhe udhëzime se si të krijohen koktej mollotovi.

Fletushka nis me “udhëzime si të rezistohet policia e Kurtit”. Në pesë pika është përshkruar se në çfarë forme dhe me çka të sulmohet policia.

Në pikën e parë përshkruhet që “çka të bësh kur ta shohësh patrullën e policisë së Kurtit? – Me gjuajt me gjëra që mund t’i kapësh me dorë (lojëra, saksi, guri, ngjyrë, ve, koktej”- thuhet në pikën e parë.

Udhëzimet vazhdojnë tutje duke sugjeruar qytetarët që të ofendojnë, shajnë e t’i godasin me gjësende të forta policët nëse i shohin.

Një nga pikat tregon edhe se si të krijohet një koktej mollotovi me të cilën më pas bëhet thirrje të sulmohet policia.

Kërkesa në fund të fletushkës përfundon me “Rezistencë policisë tani. Do të vazhdoj Mbrojtja popullore”.

Fletushka e shpërndarë në Telegram, Foto KALLXO.com
Fletushka e shpërndarë në Telegram, Foto KALLXO.com

Qytetarë serbë kanë protestuar të hënën, 12.02.2024, në Mitrovicën Veriore kundër vendimit të Bankës Qendrore për dinarin, monedha e Serbisë.

Kjo protestë u shfrytëzua për shpërndarjen e fletushkave. KALLXO.com mëson se këto fletushka u shpërndanë gjatë e pas protestës tek qytetarët që morën pjesë e të tjerë që ishin kalimtarë të rastit.

Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u tha se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor dhe etnik”.

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton” janë grafite që janë parë përgjatë vikendit të kaluar konkretisht 09 dhe 10.02.2024 në komunat në veri të vendit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani e ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti po trajtohet si  “përhapje e urrejtjes”.

Sipas tij, ende nuk dihet kush i ka krijuar grafitet.

Qeveria e Kosovës më 29.06.2023, i shpalli terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

‘Brigada e Veriut është gjallë’ – grafite të reja në veri

Rregullorja përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

Protesta u thirr nga Shoqata e Pensionistëve, e u përkrah edhe nga të tjerët. Përfaqësuesja e pensionistëve tha se vendimi për dinarin serb “ia merr kafshatën e bukës”.

Vendet e QUINT-it dhe SHBA kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Në anën tjetër, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka thënë se serbët lokalë mund të pranojnë çfarëdo lloje ndihme nga Serbia por që ato duhet të jenë në kanale zyrtare dhe të ligjshme e në euro.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një plani 10 pikësh, njoftoi të hënë (12.02.2024) se ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare.

Plani 10 pikësh i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për operacione me para të gatshme