Mimoza Kusari-Lila

Kusari – Lila për grevën e minatorëve të Trepçës: E panevojshme

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila është deklaruar sot lidhur me grevën e minatorëve të Trepçës.

Ajo ka thënë se e shohin të panevojshme dhe me keqardhje këtë grevë.

“Në situatën aktuale ne e shohim të panevojshme dhe natyrisht edhe me keqardhje një grevë, dhe informatat që vijnë janë paksa kontradiktore, në raport me numrin e minatorëve që janë në grevë, në raport me mënyrën se si po mbahet greva, që nuk ka një Këshill organizativ me të cilin mund të bisedohet zyrtarisht”- tha ajo.

Kusari – Lila ka konsideruar se kërkesat e grevistëve “kanë kaluar në një stad të çuditshëm”, ndërsa ka shtuar se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm.

“Jam në dijeni që ka komunikim të vazhdueshëm, që kërkesat kanë kaluar paksa në një stad të çuditshëm. Kur ka fillu greva ka qenë çështja e pagave, kur është marrë vendimi i qeverisë edhe janë disbursu pagat, pastaj është fokusu kërkesa në shkarkimin e kryeshefit dhe për këtë çështje janë përgjegjëse Bordi i ndërmarrjes, nuk është Kuvendit, pastaj është ministria, Qeveria”- ka thënë ajo.

Sipas saj, kushtëzimet nuk sjellin zgjidhje.

“Gjithë këtë e shohim një mundësi që mund të zgjidhet por kushtëzimet e formës së ose shkarkojeni kryeshefin ose nuk dalim nga këtu, nuk sjellin ose nuk do të bijnë një të mirë as për ndërmarrje”- deklaroi Kusari – Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se partia në pushtet duhet të jetë e përgjegjshme ndaj kërkesave të minatorëve.

“Kemi proceduar kërkesë për kërkesat e minatorëve. Nëse deri ditën e enjte këto kërkesa nuk plotësohen do të fusim në procedurë të diskutojmë dhe të miratojmë rezolutë për minatorët e Trepçës”- ka thënë ai.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kërkojnë që sa ma shpejt të gjendet zgjidhje për situatën e krijuar.

Janë bërë një javë nga fillimi i grevës së minatorëve të Trepçës.

Që kur ka nis greva e minatorëve, disa nga grevistët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka dhënë sot dorëheqje nga kjo pozitë, pas mbledhjes që ka pasur me Bordin Mbikëqyrës të Trepçës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bujar Jashari, ka thënë se ka dhënë dorëheqje pasi i është kërkuar nga Bordi Mbikëqyrës.

“Më është kërkuar dhe kam dhënë dorëheqje. Arsyeja ishte që unë nuk po e menaxhoj situatën mirë me grevën dhe nuk po arrij t’ i identifikoj të gjithë grevistët dhe t’ua dorëzoi emrat, se  nuk po ua afroi informata në detaje se kush prej kompanive apo personave po iu sjell ushqim falas”- ka thënë ai.

Jep dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut