Kusari Lila: Falja e gjobave gjatë pandemisë, dekurajon ata që i respektuan ligjet

Mimoza Kusari Lila, u.d kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar se në takimin e rregullt të Kryesisë u diskutuar lidhur me agjendën për të përcaktuar seancat.

“Të enjten është vazhdimi i seancës për debatin për arsimin. Është vendos që interpelanca për faljen e gjobave të mbahet të premten. Debati në lidhje me situatën ekonomike do të mbahet javën tjetër”, tha Kusari Lila.

E pyetur nëse LVV do ta përkrah rezolutën për faljen e borxheve, Kusari Lila tha se faja e borxheve është dekurajim për ata qe i kanë respektuar ligjet.

“E konsiderojmë që nëse përcaktohet me një normë ligjore sanksionimi përmes gjobave për rregullsi dhe ligjshmëri pastaj vendosja e faljes së gjobave përmes interpelancave shkon jashtë normave të ligjshmërisë. Dhe është në dekurajim për ata që kanë qenë në përputhshmëri me ligjin”, tha Kusari Lila.

E pyetur se pse Konjufca nuk po paraqitet për media, Kusari Lila tha se “është kryetari i Kuvendit që vetë duhet të përgjigjet”.

Sa i përket platformës së dialogut Kusari Lila tha se kryeministri Kurti ka filluar takimet me opozitën.

“Ky proces është vetëm në fillim sa i përket qeverisës Kurti II dhe po besoj që ditëve në vijim dhe pas takimeve të këtyre ditëve dhe takimeve pasuese të kryeministrit me liderët e opozitës do të kemi informacionet e duhura mbi përgatitjet për takimet e radhës në Bruksel”, tha Kusari Lila.