Kurti: Vigjilentë gjithmonë, të brengosur shpeshherë, të frikësuar asnjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për targat.

Kurti ka thënë se nuk ka prishje të marrëdhënieve me ShBA-në dhe se sipas tij, asnjë veprim i Qeverisë nuk i ka befasuar zyrtarët amerikanë apo evropianë.

“A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën? Nuk ndodhin këto gjëra, nuk kemi ne këso raporte me SHBA siç e përshkruani ju si gjyshi me nipin. Asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me ta. SHBA-në i kemi miq dhe partnerë”- ka deklaruar Kurti.

“Partneriteti ynë me ta, aleanca me ta është aleancë që bazohet mbi vlera dhe me qëllime me interesa të përbashkëta. Ne e kemi shtyrë njëherë vendimin për një muaj dhe jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit”- shtoi ai.

Kurti ka treguar se para konferencës, me ministrin i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është takuar me komandantin e KFOR-it dhe se Sveçla gjithashtu ka zhvilluar takim me shefin e EULEX-it.

“Nuk ka javë që nuk na bie me ambasadorin amerikan e atë evropian të takohemi së paku dy herë. Nuk po flasim për njerëz të cilët komunikojnë në metoda të para dy shekujve ku duhej dikush me karrocë me kuaj të qojë një letër, jemi në ‘real time’ (kohë reale) në kontakt dhe nuk ka befasi këtu. Jemi të vendosur që ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë të mos e komprometojmë mirëpo në anën tjetër gjithashtu edhe brengat që i kanë për paqen dhje sigurinë ne gjithmonë i përfillim me seriozitetin më të lartë”- u shpreh kreu i ekzekutivit.

Kurti përfundoi duke thënë se sjellia e tyre është “Vigjilentë gjithmonë, të brengosur shpeshherë, të frikësuar asnjëherë”.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.