Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Kurti tregon si i bën përgatitjet për bisedimet në Bruksel

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka treguar si i bën parapërgatitjet për takimet e tij në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një deklaratë para gazetarëve, kreu i ekzekutivit ka thënë se përpara çdo takimi shfleton literaturën për dialogun.

“Unë jam shumë aktiv tërë kohën sepse qeveria e Republikës së Kosovës i ka 3 zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, gjithashtu jam edhe kryetar i LVV-së, por një pjesë të kohës me krejt çfarë mundem përgatitem”- tha ai.

“Duke i lexuar dokumentet e deritanishme por gjithashtu duke lexuar edhe literature sa i përket bisedimeve dhe negociatave, e këtu natyrisht që më ndihmojnë shumë këshilltarët edhe të mit si kryeministër por edhe këshilltarët e zëvendëskryeministrit Bislimi”- shtoi ai.

Kurti ka thënë se pala serbe është vazhdimisht ajo që insiston në marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian me iniciative franko-gjermane e i mbështetur nga SHBA dhe Italia, le ta diskutojmë planin e zbatimit, unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e asociacionit, apo “Zajednicës” ajo është në nenin 10 njëra prej 33 marrëveshjeve”- tha ai.

“Në fakt kur kam shikuar tash së fundmi bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel del që nga 2 korriku i vitit 2011 janë deri më 25 gusht 2015 janë 39 marrëveshje gjithsej dhe asociacioni përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39”- theksoi ai.

Tutje Kurti ka treguar se çfarë pret nga takimi i 18 marsit që do të zhvillohet në Ohër.

“Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër mbase jo vetëm në Ohër. Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses apo nuk do të ketë nuk varet prej meje, unë kam ofruar që edhe me 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e BE, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme as e interesuar. Pra nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar konstruktiv dhe kreativ”- tha ai.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë, pritet të zhvillohet një takim trialateral mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.