Foto: ZKM

Kurti thotë se së shpejti tarifën do ta zëvendësojë me reciprocitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se së shpejti do të fillojë implementimi i planit të tij për heqjen e tarifës në faza, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pak orë pasi kryetari i LDK-së Isa Mustafa ia ka dhënë Kurtit edhe një mundësi para se të inicojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Mustafa ka kërkuar nga Kurti ta heq tarifën 100 për qind, ta rikthejë Agim Veliun në MPB dhe t’i kërkojë falje LDK-së.

Ndërkaq, kurti këtë deklaratë e ka dhënë sot në një takim me deputetët e Grupit Parlamentar “6 Plus”, njëherësh partner në koalicionin qeverita.

Zyra e Kryenministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se deputetët kanë kërkuar nga Kurti  heqjen e tarifës në mallrat që importohen nga Serbia, “për të cilën kryeministri Kurti tha se së shpejti do të fillojë implementimi i planit të tij për heqjen e kësaj mase në faza, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet”.

“Në takim kryeministri Kurti i njoftoi deputetët se situata në vend pas shfaqjes së Coronavirusit në Kosovë është stabile dhe masat e marra nga qeveria janë të mjaftueshme dhe po e mbajnë gjendjen nën kontroll”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e “6 Plus” thuhet se kërkuan nga kryeministri një përkrahje të shtuar nga Qeveria për komunitetet joshumicë në këtë situatë dhe vlerësuan se nuk ka arsye për panik dhe gjendje të jashtëzakonshme në vend.

Të dyja palët thuhet se u pajtuan se Kosovës në këtë situatë i duhet stabilitet politik për ta tejkaluar sa më lehtë këtë gjendje.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.