Kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, Foto:ZKM

Kurti takon kryeministrin grek Mitsotakis, kryetemë forcimi i marrëdhënieve ekonomike

Në Athinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos.

Siç bëhet e ditur në komunikatë e Zyrës së Kryeministrit, takimi i Kurtit me Mitsotakis u dominua nga tema e forcimit të bashkëpunimit ekonomik.

“Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”- thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Kurti e ka njoftuar Mitsotakis për rritjen ekonomike për ‘çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë’.

“Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative”- thuhet tutje aty.

Kurti në fillim të takimit ka uruar homologun e tij grek për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

“Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”- thuhet tutje në komunikatë.

Sipas komunikatës, dy homologët viseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.

“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”- thuhet tutje aty.

Kryeministri Kurti e ka ftuarKryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë.

Sipas komunikatës, shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.

Greqia është në mesin e 5 vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, ani pse dy shtetet kanë bashkëpunim mes vete.

Kryeministri Kurti është duke qëndruar në Athinë në kuadër të 20 vjetorit të Samitit të Selanikut.