Albin Kurti dhe Olaf Scholz, Foto:ZKM

Kurti takon kancelarin Scholz, bisedojnë për sigurinë pas sulmit të Banjskës

Gjatë qëndrimit në Tiranë në kuadër të ​samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë, Kurti e ka falënderuar Kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës.

“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të lidhura me vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë”- citohet të ketë thënë Kurti.

Tutje sipas komunikatës, Kurti e ka falënderuar Kancelarin për ri-energjizimin e Procesit të Berlinit të cilin Kosova e mbështet fuqishëm.

“U bisedua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia”- thuhet tutje në komunikatë.

Kurti në këtë takim ia ka theksuar kancelarit gjerman se ecja përpara ‘duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së tyre’.

Sot në Tiranë është mbajtur takimi i radhës në kuadër të Samitit të Berlinit.

Në këtë takim u nënshkrua marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz dënuan sulmin i cili ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, mirëpo asnjëri nuk tregoi nëse do të vendosen sanksione ndaj Serbisë.

Nga sulmi terrorist i 24 shtatorit ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, është plagosur një polic, dhe një tjetër është lënduar.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiqiq.

Autoritet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për këtë sulm dhe kanë kërkuar sanksionimin e saj, mirëpo një hap i tillë ende nuk është marrë nga Bashkimi Evropian.

Von der Leyen dhe Scholz nuk tregojnë nëse do të sanksionohet Serbia për sulmin në Banjskë