Foto: Albin Kurti / Facebook

Kurti: Qeveria pret angazhim më të madh për ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria që ai udhëheq pret angazhim më të madh në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës nga organet e drejtësisë.

Përmes një postimi Kurti ka thënë se për këtë arsye kanë shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve specialë.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë per drejtësinë tranzicionale”, tha ai.

Kryeministri tha se pesha që kanë organet e drejtësisë për gjykimin e këtyrë rasteve e tejkalon atë profesionale duke theksuar se është e domosdoshme përgjegjësia institucionale e në radhë të parë nga Prokuroria Speciale.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje. Kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit. Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, thuhet në postimin e Kurtit.