Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Slloveni më 6 tetor 2021. Foto: Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Kurti pritet të realizojë vizitë në SHBA në pjesën e parë të vitit 2022

Kryeministri Albin Kurti pritet që të shkoj për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pjesën e parë të vitit 2022. Kështu është bërë e ditur nga kabineti i tij.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse, përfshirë Uashingtonin”, njoftoi Qeveria.

Kurti, një vizitë të mundshme në shtetin më të fuqishëm në botë, e kishte paralajmëruar gjatë një debati me deputetët e opozitës gjatë muajit shtator në Kuvend, tek kishte thënë se do të udhëtojë në Amerikë gjatë muajit nëntor të këtij viti.

Ndryshe, më 9 dhe 10 dhjetor, presidenti amerikan Joe Biden do të organizojë një takim virtual për Demokracinë, në të cilin do të marrin pjesë udhëheqës botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat për të luftuar autoritarizmin, korrupsionin dhe për të mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut.

Kosovën në këtë takim pritet ta përfaqësoje presidentja Vjosa Osmani.