Kurti për Serbinë: Është agresive dhe nevrike, por nuk na frikëson

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur Serbinë agresive dhe nevrike, por ka thënë se kjo e bën Kosovën më të kujdesshme e assesi të frikësuar.

Në një deklarim për media pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, ai tha se Kosova ka paralajmëruar kaherë për rrezikun nga shtetet jodemokratike në rajon.

“Konfliktet nuk janë ndër-etnike. Nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë- jo vetëm në lindje të Evropës, janë me rrezik për sigurinë dhe paqen. Por, natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht, sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që përgatitemi maksimalisht me atë çka mundemi dhe dimë, andaj edhe përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”- ka thënë kryeministri Kurti.

Gjatë vizitës në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, ai ka bërë të ditur se ka parë nga afër 15 kamionë, 5 prej të cilëve janë donacion.

E gjitha, sipas tij, bëhet me qëllimin që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme.

“Pata nderin bashkë me komandantin e Sigurisë së Kosovës të shoh edhe këta 15 kamionë multifunskionalë të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 10 prej tyre i kemi blerë me buxhetin e shtetit, 5 janë donacion. Pra ky është partneritet që po bëjmë. Edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme, pa dallim, pavarësisht kush e kërcënon atë. Ne e kemi pas të qartë që fqinj jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”- ka deklaruar ai.

Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë përuruar qendrën shtetërore për trajnime mbi kibernetikën.

Hapja e kësaj qendre u bë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë më 12.03.2024 dhe në të pritet të trajnohen zyrtarët e institucioneve të sigurisë mbi kibernetikën.

“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha. Për shkak të sulmeve kibernetike bota ballafaqohet me situata që kanë ndikim në ekonomitë e shteteve” – deklaroi kryeministri Kurti.

Sulmet kibernetike, hapet qendra shtetërore për trajnime për siguri