Kurti për kërcënimin: Nuk ndihem i rrezikuar - VIDEO

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka folur në lidhje me kërcënimin që mori gjatë ditës së djeshme e që ende nuk është e qartë se në çfarë forme u kërcënua ai.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi në lidhje me kërcënimet që ka marrë Kurti ndërsa për shkak të kësaj ishin shtuar edhe forcat të cilët e mbrojnë kryeministrin Kurti për shkak të pozitës që mban ai.

Kurti në pyetjet e gazetarëve tha se nuk ndihet i rrezikuar në lidhje me kërcënimet.

“Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar mirëpo janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara, përndryshe unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, tha Kurti.

Ai nuk dha detaje shumë kur u pyet se në çfarë forme u kërcënua ai.

“Organet e sigurisë janë mekanizma të shtetit, që i bëjnë vlerësimet kur ngjajnë kërcënime në rrjete sociale që unë nuk kam mundësi që t`i ndjek, fizikisht për mua është e pamundshme që të merrem me kërcënime ndaj fizikut tim”, tha tutje Kurti.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje më kërcënimet ndaj kryeministrit Kurti por të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi ekskluzivisht se forcat e rendit janë shtuar për të mbrojtur Kryeministrin Kurti për shkak të një kërcënimi ndaj tij.

Kërcënimin më pas e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, tha Kryeziu.

Kërcënohet Albin Kurti, Njësia Speciale e ruan shtëpinë e tij (FOTO)