Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Kurti nuk kthehet në Kuvend, ndërpritet debati për dialogun Kosovë-Serbi

Pas pauzës, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë kthyer në sallë për të vazhduar diskutimin për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi por në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, debati parlamentar është shtyrë për një ditë tjetër.

Kryeministrit Kurti nuk është kthyer pas pauzës në Kuvend për shkak të një takimi.

Kështu ka njoftuar kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila.

“Sipas informatës nga Zyra e Kryeministrit, ai është aktualisht në një takim, por prezencën e tij ai e ka ofruar tek zëvendëskryeministri që është përgjegjës për dialogun”- ka thënë ajo.

Ndërsa, kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk kanë pranuar të vazhdojnë debatin pa prezencën e kryeministrit.

“Ne do të duhej me fillu seancën para 48 minutave por nuk e kemi prezent kryeministrin dhe debati nuk ka kuptim të fillojë pa prezencën e tij”- ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Pas deklarimit të grupeve parlamentare, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka thënë që debati mbyllet për sot për të vazhduar një ditë tjetër, pasi të vendoset në mbledhje të Kryesisë.

Një pjesë e debatit parlamentar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi u shoqërua me kritika e komente nga partitë opozitare, ndërsa nuk munguan as kundërpërgjigjet e kryeministrit Kurti të cilat shkaktuan përplasje mes tij dhe deputetëve.

 

Kurti largohet nga debati për dialogun, Kuvendi shkon në pauzë me kërkesë të opozitës

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa, ende nuk ka një datë kur pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë lidhur me dialogun, ndonëse i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt, ka paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Më 6 shkurt, pas drekës me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.