Kurti largohet nga debati për dialogun, Kuvendi shkon në pauzë me kërkesë të opozitës

Pas rreth tri orëve debat parlamentar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Kuvendi me kërkesë të partive opozitare ka shkuar në pauzë për t’i vazhduar punimet pas 1 ore.

Kërkesa e partive opozitare për pauzë ka ardhur pas largimit të kryeministrit, Albin Kurti nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në është e pakuptimtë që debati për dialogun të vazhdohet pa prezencën e kryeministrit.

“Kërkojmë pauzë më kushtin që të kthehet kryeministri. Nuk ka kurrfarë kuptimi që me abstenua kryeministri për këtë debat. Do të jetë një debat shumë i gjatë. Të shkojmë në pauzë dhe ti kërkojmë kryeministrit të kthehet”- ka thënë kryetari i grupit parlamentar të PDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kërkuar që Kurti të vijë në Kuvend për deputetët tjerë që kanë kërkuar fjalën për diskutim.

“Nëse kishe mujt me na siguru prezencën e kryeministrit, 1 orë, gjysmë ore, 45 minuta, do të ishte e mirëseardhur edhe për deputetët e tjerë folës. Pa prezencën e kryeministrit besoj që nuk është mirë të vazhdojmë”- ka thënë Zemaj.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se edhe për të është e pa kuptimtë të vazhdohet debati pa prezencën e kryeministrit.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka thënë se për shkak të numrit të madh të deputetëve të cilët kanë kërkuar fjalën për diskutim, Kuvendi do t’i kthehet debatit pas një ore pauzë.

Një pjesë e debatit parlamentar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi u shoqërua me kritika e komente nga partitë opozitare, ndërsa nuk munguan as kundërpërgjigjet e kryeministrit Kurti të cilat shkaktuan përplasje mes tij dhe deputetëve.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa, ende nuk ka një datë kur pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë lidhur me dialogun, ndonëse i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt ka paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Më 6 shkurt, pas drekës me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.