Kurti: Nuk duam të hakmerremi për vrasjet dhe krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përfundim të fjalimit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaroi se Serbia duhet të ndalojë së fantazuari se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Ai tha se do drejtësi dhe se, sipas tij, “drejtësia është drejtësi duke mos qenë hakmarrje”.

“Këto ditë shohim në faqet e para të tabloideve duke u fantazuar një hakmarrje e Kosovës ndaj serbëve. Ne nuk do të hakmerremi. Po 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, 20 mijë gra janë përdhunuar, por ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Është shumë e rëndësishme të theksohet që në mënyrë që të kemi paqe mes Kosovës dhe Serbisë, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje. Vetëm drejtësi”- ka deklaruar Kurti.

Seanca e OKB-së u përmbyll me adresimin e dytë të kryeministrit  Kurti.

Kjo seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga ko datë do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.