Kurti nga ballkoni i banesës bën thirrje për respektimin e masave

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga ballkoni i banesës së tij në Prishtinë, përmes një video ka bërë thirrje për respektimin e masave që i ka marrë Qeveria për luftimin e coronavirusit.

Kurti ka thënë se janë shtrënguar masat sepse virusi paraqet një rrezik të madh për shëndetin e të gjithëve.

“I kemi shtrënguar masat sepse virusi corona paraqet rrezik të madh për shëndetin e çdonjërit por edhe për sistemet shëndetësore e për ekonominë e vendeve të forta të botës e lëre më këto si tonat. Ne po ndihmojmë ekonominë dhe po e ruajmë shëndetin”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka thënë se që të fitohet kjo betejë dhe të luftohet virusi, duhet të ndihmojë secili prej qytetarëve.

“Ta shpëtojmë Kosovën, ta shpëtojmë ekonominë tonë dhe ta shpëtojmë njëri-tjetrin, e kjo kërkon bashkëpunimin tuaj, duke respektuar e zbatuar masat dhe udhëzimet. Qëndrimi në shtëpi është i detyrueshëm, kush nuk e respekton këtë masë dëmton shëndetin e pleqve e të sëmurëve dhe ngarkon ekonominë e spitalet tona. Parandalimi është jetë, pritja mund të jetë vdekje”, ka thënë ndër të tjera Kurti në këtë video.