Kurti nesër takohet me Abazoviqin, pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje për shërbime ajrore

Marrëveshja për shërbime ajrore pritet të nënshkruhet nesër mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Kjo do të ndodhë në takimin mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe homologut të tij, kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Ky takim do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë nga ora 9:00.

Për dy ditë me radhë, Abazoviq do jetë në Kosovë në një vizitë ku pritet të zhvillojë takime me krerë institucionalë, biznese por edhe vizita në objekte fetare.

Gjatë kësaj vizite ai do të jetë i shoqëruar nga dy ministra të Qeverisë dhe dy kryetarë komunash.

Të premten paradite, Abazoviq do të pritet në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Më pastaj, kryeministri i Malit të Zi me origjinë shqiptare do të ketë një takim edhe me Aleancën e Biznesit të Kosovës, ku do të pritet nga kryetari, Agim Shahini.

Abazoviq do të vizitojë edhe familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe do të bëjë homazhe te varri i tij.

Të shtunën paradite, Dritan Abazoviq do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ndërsa takime ai do të zhvillojë edhe me përfaqësues të komuniteteve në Kosovë.

Pasditen e së shtunës Abazoviq do të takojë liderët opozitarë, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Ndërsa, në iftar do të jetë i ftuar nga kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Takime, ai do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Angelo Michelo Ristuccio.

Gjatë së shtunës, ai do të vizitojë edhe Komunën e Pejës, ku do të pritet nga kryetari Gazmend Muhaxheri. Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në agjendë është paraparë që ai të vizitojë edhe Patrikanën e Pejës. Në një deklaratë për KALLXO.com, kryetari Muhaxheri tha se ende nuk është konfirmuar agjenda, nëse do ta shoqërojë kryeministrin Abazoviq në këtë vizitë, e cila është paraparë të zhvillohet në ora 17:00.

Takime gjatë së shtunës pasdite do të ketë edhe me Shkelqim Devollin, biznesmenin nga Peja, i cili ka nënshtetësi të Malit të Zi.

Së bashku me Abazoviqin do të jetë edhe Bernard Çobaj, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në në Kosovë, Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike, Ilir Harasani, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit dhe Omer Bajraktari, kryetar i Komunës së Ulqinit.

Abazoviq në Kosovë, takime me krerë institucionalë e biznesmenë, viziton edhe Patriarkalen e Pejës