Ilustrim

Kurti në takim me Borrell dhe Lajçak, flasin për zhvillimet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Paqes në Paris, para fillimit të forumit, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, çështjet e targave ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështjet e tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit.

Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, thuhet se Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në lidhje me paqen dhe miqtë në vend.

” Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, temë diskutimi mes Kurtit, Osmanit e Macron kanë qenë zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka theksuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman do të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.