Kurti në Prekaz: Çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharajt

Pas pranimit të detyrës së të parit të ekuekutivit dhe mbledhjes së parë që Qeverisë së re, kryeministri Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe u.d. presidentin e Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te varrezat e 59 të rënëve të familjes Jashari në Prekaz.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se sa herë që marrin detyra të rëndësishme shtetërore duhet të vizitojnë varrezat e Jasharajve në Prekaz.

“Bëmë homazhe te 59 të rënët në Epopenë e UÇK-së me 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, të këtyre tre brezave që u flijuan për çlirim, liri, pavarësi e bashkim. Çdoherë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharajt, te Prekati, te ky kryeqytet i kryengritjes tonë kombëtare”, theksoi Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe U.D presidenti, Glauk Konjufca, tha se bënë homazhe në Prekaz për të marrë forcë për të vazhduar përpara.

“Jemi këtu që të marrim forcë si të vazhdojmë dhe si të ecim përpara meqenëse ky është vendi ku në vitin 1998 kombi shqiptar u ringjall dhe sakrifica e madhe e familjes Jashari e lëvizi krejt botën dhe e bëri botën që të rreshtohet në anën e interesit të kombit shqiptar. Për këtë arsye do të jetë i përhershëm dhe i përjetshëm kujtimi i kombit shqiptar për këtë sakrificë të madhe të familjes Jashari”, përfundoi Konjfca.

Familjari i 59 të rënëve në Epopenë e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, njëherësh edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, uroi Kurtin dhe Konjufcën për detyrën e re pasi i shoqëroi dhe i priti në këto homazhe.

Sot, Albin Kurti pranoi detyrën e kryeministrit të Kosovës nga paraardhësi i tij, Avdullah Hoti.

Qeveria Kurti 2, u votua më 22 mars, më shumë se një muaj që nga fitorja me mbi 50% të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.