Kurti në PE: Besoj që në qershor fillon dialogu Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian para eurodeputetëve ku ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti para eurodeputetëve tha që dialogu mund të fillojë në qershor pas një takimi tjetër në Bruksel më 18 maj.

“Sapo u takova me zotin Borrell dhe shpjegova që do vij në Bruksel më 18 maj për një darkë punë pastaj dialogu mund të fillojë dikur në muajin qershor”, u shpreh Kurti.

Kryeministri Kurti tutje tha se Kosova dëshiron normalizim por jo dëmtim të interesave.

“Nuk e neglizhojmë dialogun me Serbinë, duam normalizim të marrëdhënieve, por nuk mund të jetë në dëm të interesave tona. Të largohemi nga logjika e këmbimeve, duhet të ndjekim hapa transformues si dy vende,” ka shtuar tutje Kurti.

Kurti dhe Borrell flasin për ‘non-papers’