Kurti dhe Borrell flasin për ‘non-papers’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell në konferencën për media të mbajtur në Bruksel gjatë ditës së sotme, kanë folur edhe për dokumentet ‘non-papers’.

Borell tha se ato dokumente kohëve të fundit duket se ‘janë në modë’. Ai deklaroi se nuk ka marrë asnjë nga ato dokumente dhe tha se shpreson që nuk do të ketë më të tjerë.

“Për mua këto nuk janë të rëndësishme dhe shpreh shqetësimin se këto dokumente dhe lajmet e rrejshme, dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me to. Dua t’i mohoj me tonet më të rënda, sepse po krijojnë edhe ambient toksik, përfshirë edhe çështjen e dialogut”, tha Borrell.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se përgjigja më e mirë për këto ‘non-papers’ është që të mos ketë fare koment, por megjithatë tha se dëshiron t’i komentojë.

“Unë nuk dua të besoj në zgjidhje ku rajoni shikohet vetëm si gjeografi apo demografi, pa qytetarë apo ekonomi. Këto harta duken si fotografi të falsifikuara nga sateliti, apo të filmave të ndryshëm ku alienët duan të pushtojnë tokën. Nuk i kam dhënë asnjë rëndësi. Ndoshta edhe janë kërcënime, nuk e di nga kush apo për çfarë, por sa më pak të merremi me to, mendoj se i ndihmojmë vetës më shumë”, tha Kurti para gazetarëve.

Në anën tjetër, Borrell shtoi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka alternativë, duke shtuar se nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë në dobi të njerëzve në Kosovë e Serbi dhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

“Ky proces duhet të rifillojë sa më shpejtë”, tha ai, duke shtuar se nuk do që të përmend limite kohore se kur do të jetë takimi i parë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell: Vizita e Kurtit në Bruksel, sinjal i qartë i aspiratës evropiane të Kosovës