Kurti: Në Gjermani nuk janë rrogat 5 mijë euro, e në Amerikë jo krejt shtëpitë janë me pishina

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim me nxënës nga komunat të ndryshme me rastin e 1 qershorit, ka folur për ikjen e të rinjve nga vendi.

Kurti ka thënë se një nga arsyet është se ata e përfunojnë fakultetin por sipas tij, nuk gjejnë punë.

“Tash pse po shkojnë njerëzit? Unë besoj që një arsye që shkojnë është kjo, se ti e kryen fakultetin por nuk ke punë dhe shpesh nuk ke punë në profesion kur ke punë”- ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit thotë se beson që ka pritshmëri të tepruar mbi atë se si zhvillohet jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë.

“Ama unë besoj që ka një lloj pritje të tepruar mbi atë se si janë SHBA dhe Evropën perëndimore. Nëse i shikon filmat e Holllivudit mendon që në Amerikë shpijat krejt me bazen janë, por nuk është ashtu ose në Gjermani mendojnë që atje menjëherë e ke rrogën 5000 euro. Së pari nuk janë, rrogat janë 2000-3000 euo dhe prej këtyre 1/3 e ke qeranë, kur shtohen faturat ndoshta mundesh me jetu edhe më varfër se këtu. Po, je në Gjermani por jo domosdo e bën jetën më të mirë”- është shpreur Kurti.

Ai tha se një bashkëbisedim me mërgatën do të kuptohej më mirë për vështirësitë e tyre në perëndim.

“Kish qenë mirë me hapë një bashkëbisedim me mërgatën dhe me marrë vesh se sa shumë kanë hekë ata deri kanë ardhë në këtë pikë ku neve na duket që janë shumë mirë. Bën vaki që dy gjenerata kanë punu për me ardhë në këtë pikë ku duket që janë shtresa e epërme e klasës së mesme”- deklaroi Kurti.

Kryeministri gjithashtu ka theksuar se të rinjtë kanë studiuar profile të njëjta për të cilat nuk ka pasur vende pune, teksa shtoi se fokus duhet të ketë më shumë edhe fusha e teknologjisë.

“Shumë të rinjë dhe të reja kanë studiuar profile të njëjta për të cilat nuk ka pasë vende pune. Është disproporcion i madh i atyre që janë orientu nga fakulteti juridik dhe ekonomia e përgjithshme në ndërkohë që vendet më të mëdha të punës jo vetëm tek ne, po bëhen tek shkenca e teknologjia”- tha Kurti.

“Jemi në vitin e tretë të qeverisjes, për këto tri vite po shkojmë në 3 milionë euro për tre mijë bursa për shkencë teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Shumë është e rëndësishme që këto të studiohen sepse aty janë vendet e punës, kjo është mënyra se do të mbetemi në Kosovë”- shtoi ai.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.