Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti në darkë pune me partnerët e koalicionit dhe përfaqësues të komuniteteve pakicë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila u takuan për darkë pune me partnerët e koalicionit qeverisës dhe përfaqësues të komuniteteve pakicë në Kuvend.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti njoftoi ata për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare dhe foli për agjendën legjislative e rëndësinë e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë.

Shefi i Qeverisë ka theksuar rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme.

“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve joshumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete” – thuhet në njoftim.

Pjesë e këtij takimi ishte zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kryetari i grupit parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi.

Kryeministri Albin Kurti informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.