Kurti: Kosova shkëlqeu në procesin zgjedhor

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se është i kënaqur për rezultatin që partia e tij ka arritur në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën.

Kurti u shpreh se si kryeministër, është krenar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, e që si kryetar i LVV-së, thotë se ndihet i kënaqur të shoh kaq shumë kandidatë të subjektit të tij të jenë në balotazh.

“Zgjedhjet lokale ishin të lira, demokratike, fer dhe pa ndonjë incident të theksuar. Të gjitha ankesat do të trajtohen nga organet kompetente. Si kryeministër jam fort krenar që kishim miq nga Bashkimi Evropian që i vëzhguan. Ata panë që përveç xhudos, filmit dhe programit të vaksinimit, Kosova shkëlqen edhe në procesin zgjedhor. Si kryetar i LVV-së, janë shumë i kënaqur të shoh kaq shumë kandidat tanë në balotazh. Njësoj siç jam i kënaqur me nivelin e besimit të dhënë ndaj asamblistëve tanë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me secilin kryetar të komunës, teksa shtoi se zgjedhjet e djeshme janë festë e madhe e demokracisë së zgjedhjeve, edhe politikës si shërbim.

“Brenda 10 viteve, jo vetëm që jemi grupi më i madh parlamentar, por jemi edhe subjekti i cili është më i madh se sa tri partitë e vjetra që janë në opozitë”, tha mes tjerash kreu i LVV-së, njëherësh edhe kryeministër i vendit.

Vetëvendosje nuk e fitoi asnjë komunë pa balotazh, por është në garë për 12 komuna. Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar në: Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti dhe Kaçanik.