Kurti: Komunat në disa raste po i bëjnë opozitë Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Komunat në disa raste janë duke i bërë opozitë Qeverisë së tij.

Këtë kryeministri e tha gjatë mbledhjes së qeverisë, derisa ishte duke folur për grantet e Komunave.

“Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike” – deklaroi Kurti.

Ai ka thënë se buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm është 742 milionë euro, që sipas tij është gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komunat, se sa në qeveritë e kaluara.

“Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri tha se në fillim të prillit ka pasur takim me kryetarët e komunave për hapjen e thirrjes publike për masat e efiçienvës së energjsë, ndërsa ka paralajmëruar edhe një takim tjetër për javën e ardhshme.

“Javën tjetër, do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me kryetarët e komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët” – deklaroi Kurti.

“Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta, të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëpunim të afërt të Qeverisë me komunat”.