Ilustrim

Kurti: Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës

Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një Udhëzim Administrativ për çmimet e naftës, e cila tashmë ka arritur deri në 1 euro e 90 centë për litër.

“Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës. Qëllimi ynë është që t’i mbrojmë konsumatorët pasi naftën e importojmë dhe njëkohësisht më pastaj të kujdesemi edhe që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë në treg”, është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Ai ka thënë se Qeveria është duke punuar që përmes politikave sociale të ndihmojë qytetarët, kurse ka deklaruar se s’mund të bëjë asgjë për rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Ne synojmë që me politika sociale t’i ndihmojmë qytetarët e Kosovës dhe jo duke bërë hamendësime të cilat në fund shndërrohen në superprofit për tregtarët dhe aspak lehtësime për qytetarët”, ka thënë më tej Kurti.

Kurti ka thënë se heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojnë politikë të dobishme.

“Pasi nuk u ndihmon atyre që janë në nevojë dhe rasti i Gjermanisë ka treguar se çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk u ndihmon qytetarëve, përkundrazi mund t’i rrisë fitimet e tregtarëve”, ka përfunduar ai.