Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) gjatë marshimit në Mitrovicë. Foto: FSK

Kurti i përgjigjet Borellit: FSK kreu stërvitje rutinë në Mitrovicë të Jugut, KFOR-i plotësisht i informuar

Pas reagimit të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili u shpreh i shqetësuar me marshin e FSK-së në Mitrovicë të Jugut, është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës kreu stërvitje rutinë në Mitrovicë të Jugut, gjë për të cilën, sipas tij, KFOR ka qenë i informuar.

“Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut janë  aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe po ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”- ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurti tutje shtoi se sa i përket arrestimeve të serbëve, si kryeministër nuk merr pjesë në procedura hetimore.

“Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë të veriut për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik nuk kam asnjë përfshirje në krim, hetime dhe arrestim”- shtoi tutje ai.

Sipas Kurtit, përhapja e panikut i ndez më shumë tensionet, ai kërkoi që të konfirmohen burimet para se të publikojnë lajme.

“Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”- ka shkruar Kurti.

Shumë media në Serbi raportuan se Kosova kishin nisur ushtrinë për në Mitrovicë për shkak të situtatës aktuale. Ndërsa Josep Borrel u shpreh i alarmuar.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e fortë nga Serbia”-  ka shkruar Borrell.

Lidhur me prezencën e FSK-së në Mitrovicë të Jugut ka reaguar edhe drejtori i organizatës KIPRED dhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci.

“E kam ditur që nuk jeni fort të mençur, por që jeni aq budallë sa me e dërgua FSK-në në Mitrovicë në këtë situatë nën pretendimin se këto janë ushtrime të rregullta nuk ma ka marr mendja.
Si jeni duke i grahur punës, “zajednicen” keni me e lype, por nuk keni me e gjetë”- shkroi ai.

Borrell: Shumë i alarmuar me situatën në veri, arrestimet e serbëve e marshin e FSK-së në Mitrovicë