Kurti: Greqia është e para sa i përket mundësisë së njohjes nga pesë shtetet e BE-së

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova po punon shumë në planin diplomatik për t’i bindur pesë shtetet e mbetura të Bashkimit Europian që të njohin vendin.

Sipas Kurtit, Greqia është e para sa i përket mundësisë së njohjes nga pesë shtetet e BE-së.

“Në vitet e fundit kemi pasur progres lidhur me komunikimin dhe bashkëpunimin me pesë shtetet jo njohëse dhe ne kemi punuar shumë në mënyrë diplomatike që ata t’i bashkohen shumicës. Greqia është e para kur vie fjala e afrimit tek njohja, gjithashtu statusi i zyrës sonë në Athinë është ngritur kohët e fundit”- është shprehur kryeministri për “TVP World”.

“Megjithatë ne kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian në dhjetorin e vitit të kaluar sepse pavarësisht nga pesë mos-njohësit, ne e kemi Marrëveshjes e Stabilizim Asocimit me BE-në dhe që nga Samiti i Selkanikut i vitit 2003, perspektiva e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE, është politikë e BE-së. Ne duam të jemi aty  sa më shpejtë që të jetë e mundur, ne duam një proces të merituar”- ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se përfshirja e Kosovës në BE nuk është vetëm për hir të përfitimeve për Kosovën, por siç u shpreh Kurti “ne gjithashtu duam të kontribuojmë”.

Është diçka që e bëjmë me vendin tonë, në termet e vlerave dhe standardeve dhe parimeve por në të njëjtën kohë neve na duhet ndihma e BE-së. Përfshirja jonë në BE nuk është vetëm për hir të përfitimeve tona, por ne gjithashtu duam të kontribuojmë. Bashkimi Europian është projekti më i rëndësishëm historik dhe politik për paqen dhe prosperitetin që nga Lufta e Dytë Botërore.