Kur mund të shpërndahet Kuvendi sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes të cilit e mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë vendim, Kushtetuesja ka dhënë interpretim edhe sa i përket rregullimit kushtetues për shpërndarje të Kuvendit.

Sipas Kushtetueses, shpërndarja e Kuvendit nga presidenti kundër vullnetit të përfaqësueseve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese.

“Përkundrazi, Presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re bazuar në dispozitat e nenit 95 të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Gjykata ka theksuar se Kushtetuta parasheh detyrimin e shpërndarjes së Kuvendit në rrethanat e paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës dhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit në rrethanat e paragrafit 2 të nenit 82 të Kushtetutës, pas votimit të suksesshëm të një mocioni mosbesimi.

Më saktësisht, sipas interpretimit të Gjykatës, Kuvendi shpërndahet detyrimisht vetëm në tri raste: nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit për kryeministër nga presidenti, nuk mund të formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh prej fillimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit nuk zgjidhet ky i fundit.

Ndërsa, sipas vendimit, në rast të votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj një Qeverie, presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin.

“Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend”, thuhet në aktgjykim.

“Përdorimi i foljes ‘mund’ në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Një konstatim të tillë lidhur me kompetencat presidenciale që ndërlidhen me foljen ‘mund’ [“može”/“may”] në kontekst të shpërndarjes se Kuvendit, konfirmohet edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias të përfshira në këtë Aktgjykim”, vijon njoftimi.

Sipas gjykatës, përveç Kushtetutës, përfaqësuesit e popullit nuk i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër dhe asnjë mandati detyrues.

Kjo pasi si thuhet në vendim, as Presidenti që është zgjedhur prej Kuvendit, nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit; e as ushtrimi i kompetencës së Kuvendit për shprehjen e mosbesimit ndaj një Qeverie që e ka zgjedhur vet, nuk mund të rezultojë edhe në përfundimin e mandatit të vet Kuvendit.

“Kuvendi nuk mund të kushtëzohet në shpërndarjen e vetvetes nëse zgjedh të shprehë mosbesimin ndaj një Qeverie të zgjedhur prej tij, pasi që mocioni i mosbesimit si mekanizëm i kontrollit kushtetues të Qeverisë nga Kuvendi si organ përfaqësues i popullit, nuk do të kishte asnjë kuptim”, thuhet në aktgjykim.

Sipas gjykatës, pragu i lartë i votës së nevojshme për shpërndarje të Kuvendit nga vet deputetët reflekton peshën dhe rëndësinë që Kushtetuta ka përcaktuar për këtë qëllim.

“Krahas pragut më të lartë të paraparë për amendamentimin e Kushtetutës, e për të cilin kërkohet miratimi i dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit, Kushtetuta ka përcaktuar pragun e radhës më të lartë të mundshëm, përkatësisht votën prej dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve të tij, të barabartë, ndër të tjera, me votën e nevojshme për bartje të sovranitetit të shtetit, siç është përcaktuar në nenin 20 të Kushtetutës. Për dallim, Kushtetuta për suksesin e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, ka përcaktuar prag më të ulët të votës së nevojshme, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) deputetë”, vijon njoftimi.

Gjykata tutje thekson se po të mund të shpërndante Presidenti njëanshëm Kuvendin pas një mocioni mosbesimi, atëherë Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me dy të tretat e votave të përfaqësuesve të popullit si dhe do të reduktonte në mënyrë arbitrare vullnetin e nevojshëm të dy të tretave) të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit në vetëm 61 vota, aq sa janë të nevojshme për një mocion mosbesimi.

“Një fuqi të tillë, Presidentët, bazuar edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias, nuk e kanë madje as në shumicën e shteteve me rregullim presidencial”, theksohet në vendim.

Duke cituar analizën e bërë në Kushtetuta tjera në këtë aktgjykim, përfshirë edhe ato Kushtetuta që janë përdorur në argumentet e parashtruesve të kërkesës, Opinionet relevante të Komisionit të Venecias si dhe përgjigjet e Forumit të Komisionit të Venecias, gjykata thotë se këto  saktësojnë që asnjë Kushtetutë nuk përcakton shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit vetëm me faktin që është votuar suksesshëm një mocion mosbesimi.

“Përkundrazi, votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi, rezulton në tri situata të mundshme: (i) zgjedhjen e menjëhershme të Kryeministrit të ri, në rastet kur Kushtetutat parashohin “mocionin konstruktiv”; (ii) edhe një mundësi shtesë për zgjedhjen e një Kryeministri; ose (iii) kthimin e kompetencës te Presidenti përkatës, për të ndjekur procedurat e përcaktuara për zgjedhjen e Qeverisë, për aq mundësi sa përcakton e njëjta. Në të gjitha këto vende, vetëm atëherë kur të jenë shteruar të gjitha mundësitë kushtetuese për zgjedhjen e një Qeverie të re, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, Kompetenca e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin e përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, zbatohet drejtë, vetëm atëherë kur pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit të votuar nga më së paku 61 deputetë: mungon shumica e nevojshme e deputetëve për të formuar një Qeveri të re dhe në të njëjtën kohë  mungon edhe shumica prej dy të tretave të deputetëve, për t’u vet shpërndarë.

“Pra kjo mundësi, në njërën anë paraqet një mundësi shtesë për të formuar Qeveri brenda legjislaturës ekzistuese dhe për t’i shmangur zgjedhjet, ndërsa në anën tjetër, paraqet edhe mundësi zhbllokimi në rastet kur nuk ka vullnet dhe as shumicë të nevojshme për formim të një Qeverie të re nga Kuvendi brenda të njëjtës legjislaturë” thuhet në vendim.

Sipas Kushtetueses, rrethanat e rastit konkret, dallojnë qartazi nga ato të legjislaturave të kaluara për shpërndarjen e Kuvendit.

Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta lexoni KËTU.