Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Foto: KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese jep sqarime për mosfunksionimin e web-faqes

Faqja e internetit e Gjykatës Kushtetuese gjatë ditës së sotme po përballet me probleme, me ç’rast qasja në të është bërë pothuaj e pamundur.

Kjo ka bërë që të interesuarit të mos mund ta lexojnë aktgjykimin e publikuar sot lidhur me dekretin e presidentit Thaçi përmes të cilit ai ka mandatuar Avdullah Hotin nga LDK për kryeministër.

Lidhur me këtë problem, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.

Ai tha se web-faqja nuk po funksionon herë pas here për shkak të mbingarkesës.

“Për shkak të mbingarkesës, numrit të madh të lexuesve, pasi e kemi publikuar aktvendimin, faqja ka rënë. Duhet t’ia bëjmë ‘refresh’ disa herë për të pasur qasje”, ka thënë Dula për KALLXO.com.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi përmes së cilit mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e qeverisë së re.

Në dokument arsyetohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmes të cilit iu dha e drejta e formimit të qeverisë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila kishte dalë e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.