Kupina me reagim për akuzat ndaj Presidentes Vjosa Osmani

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj disa personave që sipas tij e akuzojnë presidenten për abuzim të taksave qytetare.

Sipas Kupinës, Osmani ka qenë e kujdesshme me kuletën e shtetit gjatë kohës sa ka qenë Kryetare e Kuvendit dhe gjatë pozitës aktuale si presidente e vendit.

Kupina tutje ka thënë se gjatë kohës sa Osmani ka qenë në këto pozita janë bërë shpenzime deri dhjetëfish më të vogla, por sipas Kupinës janë bërë punë shumëfish më të mëdha për shtetin.

“Moralizuesit që sot qepojnë duhet të reagojnë për 53 milionëshet e shumtë të abuzuar nga partitë e tyre, e jo ta dezinformojnë publikun rreth presidentes”, është shprehur ai.

Tutje i njëjti ka bërë një sqarim se si, sipas tij, Vjosa Osmani nuk është kompensuar për katër mandatet e saj si deputete edhe pse, sipas Kupinës, ajo ka udhëtuar për pjesën më të madhe.

Ai ka thënë se Osmani në vitin 2010, kur ishte zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar ndonjë rregullore me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë.

Sipas tij, asokohe Osmani asnjëherë nuk ishte informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë ishte marrë vendim për kompensim.

“Ajo është regjistruar në formularin për regjistrim si deputete e Mitrovicës, por ajo po ashtu asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim”, ka thënë tutje Kupina.

Ai tutje ka shtuar së që nga dhjetori i vitit 2012, Osmani është martuar në Prishtinë, por sipas Kupinës ajo më pas kishte vazhduar të jetojë dhe të udhëtoj nga Gjilani.

“Më shumë se gjysmën e vitit, nga fillimi i vitit 2013 e tutje, zonja Osmani kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar”, ka thënë Kupina duke shtuar se Osmani vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani.

“Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim”, ka thënë Kupina.